VËRRINI
1.
Tre plumba manxerre rripin
një pikë gjaku në gjeografinë e atdheut
me shtatë buzë Sharri
rrita e fëmijërisë sime
hijeve të tua
ku freskohen zotrat e dashurisë
në këngë, në vaj
në mall të kam
në ty i shartoj pipat e shpresës
me pranverat e bardha që po vijnë
për ta lulëzuar shtatin
ku rrjedhin udhët e zgjaten ato
shpresat e kthimeve i mbajmë në gji
2.
Kullave të larta
qëndresë nëpër shekuj
ku rriten pishtarët e atdheut
oda për burra
që gdhendin eshkën e fjalës
te oxhaku
i mprehin shpatat e mendimeve
për t' u përballur me fortunat
si t'u prehen kokat bajlozëve
të tërbuar mbi atdheun tonë
frenxhi me syrin vëngër
në rojë të atdheut
votra për loket që gatuajnë brumin
për bukën e lirisë
djepa për nëna
që këndojnë ninullat e atdheut
i pathyeshëm ndër mote
3.
Plot plagë shtatin
në luftën çlirimtare ballëlart
pishtarët e lirisë
në flakën e atdheut syrin pishë
për ardhjet e bardha
netëve të errëta pa dritë
zgjuar të pata e të kam
syrin pishë në frenxhi
grykë kah veriu
shkëlqimi i pishtarëve të tu
dritë m'i bën atdheut
nëpër bardhësitë e ardha
të bardhat që erdhën.
4.
Sa krenar më je në histori
me trimat e tu që i vure gjokset atdheut
kur e kërkoi ai
kodrave të tua ku u shkruan legjendat
ju pre udha armikut që deshi të na hedhë
farën e harrimit
lisat e tu të përgjakur me shikim kah dielli
dëshmitarët e erërave te forta që ranë këndej pari
me furi karpatesh e s' i shkulen dot
për trimat e tu
që ditëve të kuqe satanit i dhanë barot
e atdheut më të shtrenjtën jetën
gjithçka rreth teje
sot frymon ballëlart në liri
5.
Të vrullshme m' i ke gurrat
ku ma freskon shtatin
damarëve të tu shtrihen rrjedhat
që i japin rritë barit, aromë lules
ujë krojeve që gurgullojnë kullave
kur fyti të ka zjarrmi, kur ka vera vapë
e Drini kur ka etje
kullave të tua fshihet freskia e borës së Sharrit
edhe rrezja e diellit
shkrihet rrjedhave të tua
6.
Çdo kullë jotja
e ruan nga një plagë
për djemtë që m'i ke larg
për vendin e zbrazët në oda
për derën e mbyllur në dry
pas rrjetës së merimangave
oxhaku s' tymon më
plasarinave të gurëve të kullave
shërohen të çarat e pritjeve
për udhët që s' u kthyen më
sa i gjatë ky udhëtim
i zogjve të tu botës
Vërrini im
fole e dallëndysheve shtegtare
7.
Dhe sa herë kam ethe e digjem zjarrmisë
mallit tend ti më je vargu maje pende
barë i shërimit në këtë udhëtim
nëpër çdo varg që ia them
ah sa më therin plagët e tua
gjurmët e barbarit të veriut
të kam dhe në këngë e në vaj
në mall të këtij udhëtimi alpik
s' na ndahet etja, Vërrini im.
Zvicër, 1999
VËRRINI
Shtatit tënd shkarkuan mllefet barbare
trupit të la thonjtë urrejtja
shtatorit çdo vit ia kujtojmë plagët
që rrodhën motit të përdalë
të kuqtë e boncës së Sharrit deri në Dri
lisave të tu ranë erërat e egra karpatike
gurëve i thyen kafkat, ti e di
sa të egra ishin furtunat e erërave barbare
bukuria jote i vrau theqafjes
shkëlqimi i ngritjes sate
që po vinte me diellin
tani më dritëndrin historisë së atdheut
që merr rreze nga rrezja jote
shkëlqimndritur.
Malësi e Vërrinit, 30.7.2003
PLISI I VËRRINASIT
Ç'borë ia zbardhi
e s'ia nxinë kohët
Në ç'gur e mori qëndresën
që s'ia thyen furtunat
Kush ia dha krenarinë
e e mbajti mbi vetull
Bardhësisë së tij
harroi rreze dielli
Ç'bukuri e bardhë
mbi kokën e arbërit
Vërrinasi im.
Malësi e Vërrinit, korrik 2003
MASAKRA
(Kushtuar pleqve të Malësisë së Vërrinit,
që u masakruan nga ushtia serbe më 2 shtatorë 1998)
Nëpër Malësi harbuan bishat karpatike
shkrumb e hi mbeti prapa tyre
me duar të përgjakura ikën
krimin e morën me vete.
Malësisë i shkruan kulmin e së keqes
krimin e prenë ndër shpata
kullat i lanë në gjak
etjes së tyre satanike
Malësia plagët i numëroi
hirit që u shtrua.
Kobi u mbyt kullave të shkrumbuara
rrënojave plagët mbetën
mbuluar hirit e shkrumit.
Fillimshtatori u la në gjak
Malësia ra në zi
Barbari iku
Fundlufta i mblodhi plagët.
Shtator 1998
DY METEORË TË PASHUAR PRANË DIELLIT
(Kushtuar dy dëshmorëve të kombit, të rënë më
7 shtator 1998 në Prizren. Astret dhr Arsim Ponikut)
Të dhimbshëm janë shtatorët vëlla
sa dhembja që godet në krahëror
Dritëliria është shkëlqimi juaj
Lavdia e atdheut në kurorë.
E butë, e ëmbël qe fjala juaj
si flatrimi i shqiponjës në flamur
Ju lulëkuqet e shtatorit
dy emra që nuk shuhen kurrë.
Dy drita që japin një shkëlqim
e përflaken qiellit tëndë Kosovë
Astret shkëndijë drite e Arsim
ditëve të bardha, atdheut i ndriçojnë.
Dy meteorë të pashuar pranë diellit
territ i dhanë dritë e shkëlqim
Emra të lavdisë kësaj lirie
Astret shkëndijë drite e Arsim.
Dhe dhembja s'na ligështon
se atdheut liria ka ardhur
Guximi juaj na trimëron
dy emra, rreze drite në lapidarë.
Malësi e Vërrinit, 2 shtator 2004
RËNIA E PËLLUMBIT
(Vogëlushit Arlind Kryeziu, i vrarë nga
granatat serbe në shtator të 1998-s. në Lybeqevë të Prizrenit)
Toka fort po dridhet
gjëmon anembanë
një pëllumb Kosove
dhembshëm lëshon gjëmë.
Malet morën flakë
dielli ndali dritën
një lule e njomë
sot e ndali rritën.
Toka thellë rënkoi
gjëma qiellit ra
një vogëlush Kosove
nga krahu kur ra.
Pranverës së pestë
vjeshta i ndali rritë
një Arlind Kosove
iku shpejt pa pritë.
Vërrini hapi plagët
zemrat në dysh u çanë
një pëllumb Kosove
nga rrita e ndanë.
Zvicër, 21 janar 1999
M A R T I R I Z I M
(Masakrës së Tusuzit- paralagje e Prizrenit,
ku forcat serbe më 26 maj 1999 vranë dhe
masakruan 25 shqiptarë nëpër shtëpitë e tyr si:;
Halil Poniku, Xhemali Poniku,Rexhep Maçkaj,Fazile Maçkaj,
Bislim Qengaj, Selvinaze Qengaj,Avdi Berisha, Refki Berisha,
Selim Berisha, Feim Berisha, Salih Elshani, Sani Bajrami,
Neki Gashi, Fadil Ramadani, Nijazi Muja, Hyrmet Sylejmani,
Behar Abdylmexhidi, Shefik Abdylmexhidi, Sami Abdylmexhidi,
Rafet Abdylmexhidi, Hesat Xhemshiti, Bejan Xhemshiti,
Mirsat Osmani, Hajrim Arifi, Ymer Thaçi).
Juve më besnikë u patën kullat
që zjarri i pashuar të na presë te votra
për t'u ngrohur shpresat e kthimeve tona
Ju zgjodhët flijimin, në vend të egzodit biblik
ju i mbajtët gjallë shpresat e kthimeve tona
që të mos vdesin ato në kolonën e ikjes
Ju mbetët gur përjetësie në themelet e kullave
që të mos rrënohen ato pritjes sonë
vonimit të ardhjeve të bardha
Ju mbajtët ndezur fanarin e dritës në kulla
netëve tona pa gjumë nëpër male
që të na i ndriçoni rrugët e pushkëve të lirisë
Ju mbetët dëshmitarë të furtunave karpatike
që na ranë këtejpari me tërbimin e veriut
kullave të Kosovës shkrumb e hi
Lulëkuqeve tuaja dielli lëshon rrezet
që flatrat e lirisë të na i ngrohë
për të fluturuar lirshëm pëllumbat e ardhjeve të bardha
Ju martirë në tokën e atdheut
që e deshët me peshën e gurit në vendin e vet.
Prizren, Tetor 1999
MALESIA E VËRRINIT
