Gëzim Ajgeraj
KOHA E OTKUPIT
Menjëherë pas përfundimit të luftës ë dytë botërore, dhe marrjes së vendit nga komunistët, filloi tagrambledhja e pasurisë dhe gjërave materiale qe dispononte popullata. Kjo tagrambledhje ishte e egër, në raport me atë se çka kishte popullata në ato kohë. Edhe Malësinë e Vërrinit (Lybeqevën) e kishte prekur ky aksion, dhe kur kihet parasysh se cila ishte gjendja e popullatës së kësaj ane, edhe më shumë ua rrezikonte ekzistencën për bukën e gojës. Nga ato të mira që i kishin fshatarët në bylmetet dhe shtëpitë e tyre, gjysmat ua merrte shteti. Kush kishte dy lopë, njërën ia merrte, kush dy dele, njërën duhej ta jepte për pushtetin, kush gjysmën e drithit.
Dhe kush kishte për të dhënë në atë kohë në Malësi?
Kur e kemi parasysh pozitën kodrinore malore të këtij fshati, dhe me një bujqësi të pa zhvilluar dhe shumë primitive. Kështu që këto dy tre vite, të pas luftës së dytë botërore, popullatën e këtij fshati, e rrezikuan për bukën e gojës, dhe për të gjetur shpëtim, shumica e burrave të këtij fshati, me nga dy tre dit e net udhëtonin për në Tetovë, për të siguruar, pak misër për familjet e tyre. Dhe duke shtuar kësaj situate edhe një fakt tjetër, ajo veç sa e rendon gjendjen ekonomike të këtyre fshatarëve. Po në atë kohë pra, nga shteti u shpall reforma agrare, e cila u a mori tokat më të mira, edhe këtyre fshatarëve, që i kishin në fushën Prizrenit, dhe i kolektivizoj ato në kuadër të organizatës së atëhershme në Prizren, me emrin; Progresi.
REFORA AGRARE
(Tokat nën Progres)
Reforma në emër të kolektivizimit të tokave, apo reforma agrare që e shpalli pushteti Jugosllavë, gjatë viteve të pas luftës së dytë botërore, më saktë rreth viteve 1956, i preki rëndë edhe bujqit e Vërrinit. Në rajonin e Prizrenit, kjo reformë emërohej si; Tokën me ia dhanë Progresit. Progresi ishte një organizatë shoqërore, në kuadër të së cilës futej e gjithë toka nëpër fushat e Prizrenit. Kjo organizatë, gjoja merrej me punimin kolektiv të kësaj toke, ndërsa banorët kompenzoheshin me një pjesë drithë që e përcaktonte këshilli i kësaj organizate. Dhe sa ishte e kompenzueshme dhe reale ishte kjo ndarje, vështirë të thuhet diç e mirë për saktësi ndarjesh, pasi që bujqit e kësaj ane nuk ishin aspak të kënaqur. Së dyti ata i humbnin pronat e tyre, që në një të ardhme nuk dihej se çfar do të ndodhë me ato toka. Kësaj iniciative, shumë ashpër dhe negativisht i janë përgjigjur banorët e regjionit të Vërrinit, me që ata kishin shumë toka në fushën e Prizrenit. Askush nga kjo anë nuk pranoi të nënshkruante në dhënjen e tokës, - Progresit. Pamvarësishtë se një pjese iu morë me dhunë toka, ata kurrë nuk u pajuan me një vendim të tillë. Iniciativën për mos dhënjen e tokës, e kanë kundërshtuar fillimisht banorët e Hoqës së Qytetit, sepse ata kanë qen të mvarur kryesisht nga toka, e cila shtrihej fushës së Prizrenit. Kësaj iniciative i janë bashkuar edhe bujqit nga Lybeqeva, Leskoveci, Jeshkova, Billusha, Poslishti, Lezi e Kushtendili. Të gjithë banorët e kësaj ane, nuk e kanë nënshkruar fare, tapinë për dorëzimin e tokës. Shteti, edhe pse i mori këto toka me dhunë, nuk mundi ti mbaj më shumë se dy vite të kolektivizuara. Një pjesë që mbeti nën pronën e progresit, ishin prona të individëve që kishin nënshkruar, me qëllim punësimi në këtë organizatë shoqërore, ose diku tjetër, por kjo pjesë e te nënshkruarve ishin qytetar që jetonin në qytet. Më në fund, pas dy viteve të mbajtjes së këtyre tokave, progresi i liroi ato, dhe sërishtë pronarët e tyre u bënë zotë të atyre pronave.
* dëshmi; (Et`hem Poniku)
MALESIA E VËRRINIT
